Tre ditë para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Kurti fton partitë për takim, Aleanca refuzon

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje, ka ftuar për takim partitë politike – tri ditë para se të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së njëmbëdhjetë të dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit.

Megjithatë, si në ftesën dërguar në fillim të korrikut, Aleanca e udhëhequr nga Ardian Gjini, ka refuzuar takimin me Kurtin.

Ftesë, sipas mediave në Kosovë, i është dërguar edhe Partisë Demokratike të Kosovës. Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar eksponentë të PDK-së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për të kuptuar nëse kanë pranuar ftesë dhe nëse do t’i t’i përgjigjen pozitivisht, por ende nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

Po ashtu, nuk dihet se për kur Kurti ka kërkuar që të takohet me krerët partiakë.

Partia e Gjinit, në letrën që i ka dërguar Kurtit, ka kujtuar se kjo parti veçse ka vendosur gjashtë kushte në këmbim të votës për krijimin e institucioneve, duke shtuar se nuk është e interesuar që të bëhet pjesë e Qeverisë së re të Kosovës.

“Prandaj, Aleanca nuk sheh fare arsye që të takohemi në këtë format”, thuhet në letrën që Gjini i ka kthyer Kurtit më 3 gusht.

Në mesin e kushteve të paraqitura nga Aleanca është pranimi i menjëhershëm i projektit të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të gazit të lëngshëm natyror, nisja e procedurave për ndërtimin e një termocentrali të ri me thëngjill, lehtësime për bizneset e vogla, heqja e tatimit në pronë për sektorin e bujqësisë e disa të tjera.

Më 10 korrik, Kurti ishte takuar ndaras me udhëheqësit e PDK-së dhe LDK-së. Pas takimit, Bedri Hamza i PDK-së kishte thënë se partia e tij do të mbetej në opozitë. Ndërkaq, Lumir Abdixhiku i LDK-së ishte shprehur i gatshëm për takime të reja.

LDK-ja, pas një kuvendi partiak të mbajtur ditë më parë, po ashtu konfirmoi se është e gatshme të ndihmojë në krijimin e institucioneve pas zgjedhjeve të qershorit.

Partia e Abdixhikut kishte pezulluar bisedimet, pasi disa delegatë kishin iniciuar një mocion për shkarkimin e kreut të partisë. Megjithatë, Abdixhiku i mbijetoi këtij mocioni.

LVV ka fituar 58 mandate dhe së bashku me partitë e komuniteteve joshumicë ka votat e mjaftueshme për të konstituuar Kuvendin dhe krijuar Qeverinë e re, pasi për to kërkohen 61 vota në Kuvendin prej 120 deputetësh.

Megjithatë, çështja e presidentit kërkon dy të tretat e votave të Kuvendit. Pikërisht, mosarritja e konsensusit për presidentit nxiti zgjedhjet e qershorit – të tretat që nga shkurti i vitit 2025.

Për zgjedhjen e presidentit nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.

Një ditë më parë, Kurti tha se ka vullnet dhe gatishmëri për marrëveshje me LDK-në.

Me një marrëveshje të mundshme me LDK-në, e cila i fitoi 18 vende, atëherë do të arriheshin të paktën 81 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë.

Prandaj çështja e presidentit pritet të jetë në qendër të bisedimeve mes Kurtit e Abdixhikut./REL

The post Tre ditë para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Kurti fton partitë për takim, Aleanca refuzon appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: