Dënimi i krerëve të UÇK-së, Çipa: Proces politik, vendimi të lexohet nga të gjithë faktorët shqiptarë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

I ftuar në “Review” me Greta Topjanën, analisti Aleksandër Çipa foli në lidhje me vendimin e Hagës për dënimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Çipa tha se situata duhet të lexohet nga të gjithë faktorët shqiptarë, duke argumentuar se dënimi i katër figurave më të rëndësishme të UÇK-së ka ndikuar në imazhin e kësaj organizate në sytë e botës.

Sipas tij, çështja nuk mund të shihet vetëm në aspektin juridik, pasi procesi, sipas Çipës, ka edhe një dimension politik ndërsa u ndal edhe te roli i ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, duke ngritur pikëpyetje mbi qëndrimin e saj institucional ndaj këtij procesi dhe përgjegjësinë për përballimin financiar të tij.

“Leximi mbi këtë vendim duhet të bëhet nga të gjithë faktorët shqiptarë. Dënimi i katër figurave më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është një imazh i inkriminimit të udhëheqjes së UÇK-së në sytë e botës, sepse numerikisht ky është numri më i madh i të ashtuquajturve dëshmitarë në këtë proces që nuk i përkisnin palës etnike të kundërshtarëve, por fatkeqësisht dhe turpërisht të përkatësisë tonë kombëtare. Kjo është një çështje që e ka goditur këtë imazh dhe e ka rritur pretendimin e kundërshtarëve politikë, diplomatikë dhe etnikë për imazhin e inkriminuar të UÇK-së. Në marrëdhënien, le të themi, komprometuese në pikëpamje morale dhe politike që mbart aktualisht ministrja e Drejtësisë, zonja Gërvalla, në këtë proces, nuk është çështja se çfarë ka thënë ose çfarë mund të ketë pohuar. Problemi shtrohet që ajo është aktualisht ministre e Drejtësisë, që do të përgjigjet dhe përballojë financiarisht një proces të cilin, në pikëpamjen morale dhe qëndrimin politik, thuajse e ka refuzuar dhe nuk e ka pranuar për të qenë një mbrojtëse apo suportuese në pikëpamjen institucionale. Pra, këto janë arsye që debati në Kosovë në lidhje me këtë kauzë, sepse kjo tashmë është një kauzë, duhet të bëhet. Ajo që po ndodh me procesin aktual është një proces politik dhe de facto mbahet sikurse është juridik. Dhe këto gjëra janë të ndryshme”, tha Çipa.

The post Dënimi i krerëve të UÇK-së, Çipa: Proces politik, vendimi të lexohet nga të gjithë faktorët shqiptarë appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: