Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Agron Bajrami, i ka kërkuar ndërmjetësit, Bashkimit Evropian, që t’i kërkojë Serbisë t’i respektojë obligimet që ka marrë për çështjen e personave të zhdukur në luftë.
“Si kryenegociator i Republikës së Kosovës, formalisht i kam shprehur ndërmjetësit, Peter Sørensen, shqetësimin tonë të thellë për zhvillimet që lidhen me personat e zhdukur nga lufta e viteve 1998–99. I kam kërkuar Bashkimit Evropian që të sigurohet që Serbia i zbaton tërësisht obligimet që ka marrë nga Deklarata për Personat e Zhdukur, duke përfshirë qasje të papenguar në arkiva dhe mbrojtjen e atyre që ofrojnë informacione. Familjet kanë pritur shumë gjatë për të vërtetën”, ka shkruar Bajrami në X.
Kërkesa e Kosovës vjen pas zbulimit të dy varrezave masive në komunën e Zubin Potokut, në veri të vendit. Në to besohet se ndodhen trupat e shqiptarëve të rajonit të Mitrovicës, të rrëmbyer dhe vrarë në prillin e vitit 1999.
The post Kosova i kërkon BE-së presion ndaj Serbisë për personat e zhdukur appeared first on Euronews Albania.
