Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nunez, bëri të ditur se mbi 400 persona janë arrestuar që nga fillimi i sezonit të zjarreve, ndërsa në të gjithë vendin janë regjistruar rreth 14 mijë shpërthime zjarresh.
Sipas Nunez, forcat e sigurisë kanë kryer 402 arrestime për zjarre të shkaktuara qëllimisht ose nga pakujdesia. Mes të arrestuarve janë 156 të mitur, ndërsa 36 persona janë vendosur në paraburgim.
Autoritetet njoftuan se zjarret në departamentet Gironde dhe Aude janë vënë nën kontroll, ndërsa në departamentin Var lufta me flakët vijon.
Ministri theksoi se zjarri në Var është më i gjati i regjistruar ndonjëherë në këtë departament, pasi ka qenë aktiv për 15 ditë rresht.
Për shuarjen e flakëve janë angazhuar 1.250 zjarrfikës, të mbështetur nga dy avionë bombardues uji Canadair dhe dy helikopterë për hedhjen e ujit.
Ndërkohë, autoritetet ulën të martën nivelin e alarmit për zjarret në Gironde nga i kuq në portokalli, pas përmirësimit të situatës.
The post Mbi 400 të arrestuar për zjarret në Francë appeared first on Euronews Albania.
