Aktakuzë kundër 20 personave, përfshirë Radoiçiçin, për krime lufte në Gjakovë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për krime lufte në Gjakovë kundër 20 personave. Në mesin e të akuzuarve është edhe Millan Radoiçiç, mëson Radio Evropa e Lirë.

Ky grup prej 20 personash akuzohet për pjesëmarrje në vrasjen e 107 civilëve dhe ndaj tyre, Prokuroria Speciale ka kërkuar mbajtjen e gjykimit në mungesë.

Të akuzuarit, që ngarkohen me veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile” u identifikuan nga Prokuroria vetëm me iniciale: M.K., R.C., M.D., P.R., S.K.,L.O., Zh.S., S.S.,L.D.,Z.R., D.G.,Ç.B., V.B., R.B.,R.R.,L.R.,M.Sh.,M.R., S.G. dhe T.A..

Sipas Prokurorisë, gjatë viteve 1998-1999, M.K., në cilësinë e shefit të Sekretariatit të Punëve të Brendshme në Gjakovë, R. Ç., në cilësinë e komandantit të njësive të Policisë së Posaçme, dhe M.D., në cilësinë e komandantit të Brigadës së 52-të të Artilerisë Raketore, së bashku me të pandehurit e tjerë, përfshirë Radoiçiqin, “si pjesëtarë të njësive të lartcekura akuzohen për pjesëmarrjen në vrasjen e 107 civilëve gjatë një “operacioni të gjerë ushtarako-policior”.

“Gjatë këtij operacioni, sipas aktakuzës, të pandehurit fillimisht kanë ndarë gratë dhe fëmijët nga burrat. Gratë janë plaçkitur, duke iu marrë stolitë e arit, paratë dhe sendet e tjera me vlerë, ndërsa burrat janë ekzekutuar disa në shtëpitë dhe oborret e tyre, disa në lokacionin e njohur si ‘Ura e Taliqit’. Po ashtu, edhe shtëpitë ishin djegur”, u tha në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Në prill të vitit 2025, Prokuroria Themelore në Gjakovë kishte lëshuar fletarrestim për Radoiçiqin dhe 19 serbë të tjerë nën dyshime për pjesëmarrje në vrasjen e civilëve në Gjakovë, trupat e të cilëve më pas u gjetën në një varrezë masive në Serbi.

Në arsyetimin për fletarrestimin thuhej se më 1998-99, te vendi u quajtur ‘Ura e Taliqit’ në Gjakovë nga data 7 maj e deri më date 10 maj te vitit 1999, pjesëtaret e forcave ushtarake dhe policor serbe të uniformuar, përfshirë edhe të pandehurit, filluan të hynin shtëpi për shtëpi, “ku me forcë dhe kanosje i nxorën nga shtëpitë të gjithë personat që ishin prezentë, duke i ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët dhe me pas i vranë gjithsej 106 civilë të nacionalitetit shqiptar dhe pas luftës trupat e tyre u gjetën në një varrezë masive në Batajnicë të Serbisë”.

Po ashtu, në dokumentin për fletarrestimin thuhej se ky grup personash, ku bën pjesë edhe Radoiçiq, nga 7 maji i vitit 1999 deri më 10 maj të po atij viti kishte arrestuar dhe burgosur më shumë se 300 civilë shqiptarë, të cilët u mbajtën në “burgje të improvizuara, ku nuk kishin trajtim human duke iu munduar gjërat elementare, ushqimi i rregullt, higjiena dhe kujdesi mjekësor dhe më pas një pjesë e madhe e këtyre të burgosurve ishin dërguar në burgje të ndryshme të Kosovës”.

Në fund, siç tha Gjykata Themelore e Gjakovës, këta persona u liruan pas qershorit të vitit 1999, me ndihmën e organizatave ndërkombëtare.

Më 2025, Radio Evropa e Lirë intervistoi disa qytetarë në Gjakovë, të cilëve iu vranë të afërmit në kohën e luftës, të cilët thanë se emri i Radoiçiçit që nga viti 1999 ishte përmendur nga familjet gjakovare.

The post Aktakuzë kundër 20 personave, përfshirë Radoiçiçin, për krime lufte në Gjakovë appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: