Një grua 47-vjeçare është akuzuar pas një sulmi me thikë në zonën Covent Garden të Londrës qendrore, ku katër burra mbetën të plagosur, njoftoi Policia Metropolitane.
Stella Gollovena përballet me katër akuza për plagosje me qëllim shkaktimin e dëmtimeve të rënda trupore, si dhe një akuzë për mbajtje të një arme sulmuese në një vend publik.
Ajo është mbajtur në paraburgim dhe pritet të dalë para Gjykatës së Magjistraturës në Highbury të enjten pasdite.
Ngjarja ndodhi të mërkurën në Endell Street, në lagjen Covent Garden, ku policia gjeti katër burra të moshave 34, 39, 42 dhe 56 vjeç me plagë të shkaktuara nga mjet prerës. Të plagosurit u dërguan në spital për trajtim, por më pas u larguan, pasi plagët e tyre nuk u konsideruan kërcënuese për jetën apo me pasoja të përhershme.
Sipas autoriteteve, sulmi dyshohet se lidhet me probleme të shëndetit mendor. Në vendngjarje u gjet gjithashtu një palë gërshërë, që besohet se mund të jetë përdorur gjatë incidentit.
The post Një 47-vjeçare në Londër akuzohet për sulm me thikë, katër burra mbetën të plagosur appeared first on Euronews Albania.
