Një zjarr i madh ka përfshirë zonën e Atikës Lindore në Greqi, duke vënë në lëvizje forca të shumta zjarrfikëse dhe ekipe vullnetare. Autoritetet e kanë vlerësuar rrezikun e zjarreve në rajon si “shumë të lartë”.
Sipas Shërbimit Grek të Zjarrfikësve, në operacionin për shuarjen e flakëve janë angazhuar 197 zjarrfikës, 42 automjete, dy aeroplanë dhe shtatë helikopterë, së bashku me ekipe vullnetare.
Në operacion janë përfshirë edhe forca nga Franca dhe Rumania. Franca ka dërguar 23 zjarrfikës dhe katër automjete, ndërsa Rumania 24 zjarrfikës dhe pesë automjete. Të dyja ekipet ndodhen në Greqi në kuadër të Programit Evropian të Para-Dislokimit të Zjarrfikësve.
Erërat e forta po favorizojnë përhapjen e flakëve drejt një zone malore dhe një lugine, duke vështirësuar përpjekjet e forcave zjarrfikëse për neutralizimin e zjarrit. Për shkak të situatës, është evakuuar edhe vendbanimi Agios Stylianos.
Zjarri ka shkaktuar dëme në dy biznese pranë vendbanimit, ndërsa përmasat e plota të dëmeve pritet të përcaktohen pasi flakët të jenë shuar plotësisht.
The post Zjarr i madh në Greqi, evakuohet një zonë e Athinës appeared first on Euronews Albania.
