Berisha për vendimin ndaj ish-krerëve të UÇK: Dënime tërësisht të pamerituara

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar ka folur fillimisht lidhur me vendimin e marrë këtë të mërkurë në Hagë ku ish-krerët e UÇK u dënuan me 81 vite burg në total. Berisha u shpreh se dënimet janë të pamerituara teksa theksoi se asgjë nuk mund të errësojë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës.

“Natyrisht sot është një ditë jo e mirë për shqiptarët, për mbarë kombin, për familjet e ish-udhëheqësve politikë të Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe të Kosovës, pasi gjykata e shkallës së parë në Hagë komunikoi vendime me të cilat në mënyrë absolute nuk arriti të substanciojë asgjë konkrete përveç deklaratave të përgjithshme që janë përsëritur me dhjetëra dhe qindra herë nga propaganda e Beogradit.

Dha dënime tërësisht të pamerituara në vend që të shpallte pafajësinë në sallë në emër të të drejtës ndaj ish-udhëheqësve politike të Luftës Çlirimtare dhe të Kosovës. Me këtë rast, sigurisht që festë bëhet në Serbi, në Beograd për këto dënime të padrejta.

Por asgjë nuk mund të errësojë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës që ata udhëhoqën si faqen më të ndritur të luftërave të shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar pas luftërave të Skënderbeut. Ushtria Çlirimtare e Kosovës bëri një luftë me të cilën së bashku, dhe në mbështetje të NATO-s, dhe kjo ishte aleate në tokë e NATO-s, çliroi koloninë e fundit në Evropë, Kosovën nga pushtimi barbar serb”, tha Berisha.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me 25 vite burgim. Rexhep Selimi është dënuar me 13 vjet burgim. Kadri Veseli u dënua me 18 vjet burgim.

The post Berisha për vendimin ndaj ish-krerëve të UÇK: Dënime tërësisht të pamerituara appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: