“Njerëzit qanin dhe kapnin kokën me duar”, gazetari tregon momentet e rënda në Prishtinë pas vendimit të Hagës

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Gazetari i Euronews, Xhemajl Rexha, raportoi këtë mbrëmje për emisionin “Now me Erla Mëhillin” nga Prishtina, ku qytetarët ishin mbledhur duke protestuar në shesh pas vendimit të paradites të shkallës së parë të Gjykatës Speciale në Hagë për ish-drejtuesit e UÇK-së.

Gazetari tha se momentet më të vështira për qytetarët ishin ato kur u bënë të ditura dënimet me nga 25 vjet burgim për ish-krerët e UÇK-së ndërsa tregoi se njerëzit në shesh nisën të qanin dhe të kapnin kokën me duar.

“Momenti më i vështirë ka qenë kur thuhej 25 vjet burgim për Hashim Thaçin, 25 vjet për Jakup Krasniqin. Njerëzit qanin, kapnin kokën me duar, nuk mund të besonin. Pra, një ndjenjë e papërshkrueshme e trishtimit. Këto kanë qenë momentet më të rënda”, u shpreh gazetari.

Rexha tha gjithashtu se në shesh ishin mbledhur qytetarë nga rajone të ndryshme të Kosovës, ndërsa shumica e tyre, sipas tij, vinin nga Skënderaj dhe Drenasi. Ai tha se protestuesit ishin të vendosur të qëndronin gjatë në shesh, ndërsa pritej që më vonë të kishte edhe thirrje nga politikanë dhe persona të ardhur nga rajoni i Drenicës.

Gazetari tregoi edhe për përplasjet emocionale mes protestuesve dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, duke theksuar se protesta nuk ishte kundër policisë. Sipas tij, disa protestues u kanë dhënë policëve flamurin kombëtar dhe flamurin me mbishkrimin “Liria ka emër”, ndërsa i kanë përqafuar.

“Kam parë protestues me Policinë e Kosovës. I kan përqafuar, ka bërtitur policia është e jona. Shumë prej pjesëtarëve të Policisë së Kosovës kanë qenë ushtarë të UÇK-së. U kanë dhënë flamurin kombëtar, flamurin me mbishkrimin ‘Liria ka emër’ dhe i kanë përqafuar, sepse protesta natyrisht në asnjë mënyrë nuk është kundër Policisë së Kosovës”, tha Xhemajl Rexha.

The post “Njerëzit qanin dhe kapnin kokën me duar”, gazetari tregon momentet e rënda në Prishtinë pas vendimit të Hagës appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: