“Vendim skandaloz” – Richard Grenell kërkon mbylljen e Gjykatës Speciale

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Richard Grenell, i dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për misione të posaçme, ka reaguar ashpër pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Grenell e cilësoi dënimin si “skandaloz” dhe kërkoi ndërprerjen e financimit për gjykatat ndërkombëtare, duke argumentuar se ato marrin vendime politike.

“Dënimi i shpallur nga Gjykata e Hagës ndaj Hashim Thaçit për një luftë të zhvilluar 25 vjet më parë është skandaloz”, shkroi Grenell.

Ai kritikoi ashpër gjyqtarët dhe prokurorin e çështjes, duke pretenduar se procesi ishte i ndikuar politikisht.

Grenell deklaroi gjithashtu se këshilltarë të ish-presidentit amerikan Bill Clinton kishin bërë të qartë se Thaçi nuk e drejtonte luftën.

“Amerikanët po paguajnë për këto ndjekje penale politike dhe kjo duhet të marrë fund”, u shpreh ai.

Në reagimin e tij, Grenell kërkoi që Departamenti i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm amerikan Todd Blanche të veprojnë për ndërprerjen e financimit të këtyre institucioneve.

Ai iu drejtua edhe institucioneve të Kosovës, duke kërkuar nga kryeministri Albin Kurti dhe deputetët e Kuvendit që të ndërmarrin hapa për shpërbërjen e Gjykatës Speciale.

“Albin Kurti duhet gjithashtu të veprojë shpejt për ta shpërbërë këtë gjykatë të huaj. Deputetët duhet të punojnë me Kurtin që kjo të ndodhë. Kosovës nuk i duhet një gjykatë në Holandë”, shkroi Grenell.

Reagimi i tij vjen pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, të cilat dënuan Hashim Thaçin me 25 vite burgim për krime lufte, ndërsa e shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.

Mbrojtja e Thaçit ka paralajmëruar apelimin e vendimit.

gijotina.com/

The post “Vendim skandaloz” – Richard Grenell kërkon mbylljen e Gjykatës Speciale appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: