Një gjykatë greke ka liruar nga të gjitha akuzat dy duzina punonjësish humanitarë, të cilët ishin vënë në gjyq për pjesëmarrje në operacione kërkim-shpëtimi në ishullin Lesbos dhe akuzoheshin për kontrabandë emigrantësh.
Vendimi u dha të enjten në mbrëmje nga Gjykata e Apelit e Lesvosit, pas më shumë se shtatë vitesh procesesh dhe pezullimesh ligjore. Të pandehurit akuzoheshin për anëtarësim në organizatë kriminale, lehtësim të hyrjes së shtetasve të vendeve të treta në Greqi dhe pastrim parash për periudhën 2016–2021, vepra për të cilat rrezikonin deri në 20 vjet burg.
Kryetari i trupit gjykues, Vassilis Papathanassiou, deklaroi se të akuzuarit u liruan pasi u vërtetua se qëllimi i tyre nuk ishte kryerja e veprave penale, por ofrimi i ndihmës humanitare, raportuan mediat greke.
Edhe prokurori i çështjes rekomandoi lirimin e të pandehurve, duke theksuar mungesën e provave konkrete. Sipas mediave, ai nënvizoi se nuk ekzistonte asnjë provë që të dëshmonte një strukturë hierarkike, e cila do të përbënte një organizatë kriminale.
The post Akuzë për kontrabandë emigrantësh, Gjykata greke liron punonjësit humanitarë appeared first on Euronews Albania.
