Ngushtohet lista e akuzave ndaj Nikolla Gruevskit

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski, i ka shpëtuar edhe një akuze tjetër penale, ndërsa lista e lëndëve ku ai është i përfshirë po pakësohet ndjeshëm. Rasti më i fundit që ka rënë në vjetërsim është një pjesë e lëndës “Talir”, e cila lidhej me financimin e paligjshëm të VMRO-DPMNE-së. Kjo pjesë tashmë nuk mund të ndiqet penalisht, pasi ka kaluar afati i parashikuar ligjor.

Megjithatë, për pjesën tjetër të “Talir”, që lidhet me pastrim parash, ndjekja vazhdon, sepse vjetërsimi për këtë vepër parashikohet të ndodhë në vitin 2035. Në këtë rast, akuzat që mbeten në fuqi përfshijnë Gruevskin dhe disa bashkëpunëtorë të tij, ndërsa gjyqi vazhdon në shkallën e parë që nga viti 2019.

Por kjo nuk është e vetmja lëndë që ka pësuar ndryshim. Me ndryshimet e Kodit Penal të vitit 2023 dhe me kalimin e viteve, janë vjetërsuar edhe disa raste të tjera të profilit të lartë, duke bërë që procedimet të ndërpriten. Mes rasteve që tashmë kanë rënë në vjetërsim janë:

“TNT” – për prishjen e kompleksit “Kosmos”
“Trajektorja” – për komisionet në ndërtimin e autostradave
“Shkupi 2014”
“Feniks”

Si rezultat, numri i çështjeve aktive kundër Gruevskit është duke u zvogëluar. Aktualisht, ai mbetet i akuzuar në tre çështje kryesore:

“Talir 1” – për pastrim parash dhe “Talir 2”
“Titanik” – për shpërdorim fondesh për financimin e fushatës zgjedhore dhe cenim të së drejtës së votës

Ndërkohë, hetimi për ngjarjet e dhunshme në Kuvend më 27 prill 2017 është pezulluar për shkak të mungesës së tij, ndërsa në disa raste të tjera proceset kanë ndaluar për shkak të vjetërsimit.

Për shkak të disa ndryshimeve ligjore që pakësuan dënimet për lëndë në të cilat janë të përfshirë funksionarë shtetërorë, shumë funksionarë, kryesisht të VMRO-DPMNE-së, që ndiqeshin nga Ish-Prokuroria Speciale, shpëtuan me pak ose fare dënime për veprat penale. Por tani ka një iniciativë për të rikthyer dënimet e vjetra më të ashpra për ata që keqpërdorin pushtetin.

The post Ngushtohet lista e akuzave ndaj Nikolla Gruevskit appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: