Një ekip i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka udhëtuar drejt Gazës për të realizuar rikonicionin e zonës ku pritet të dislokohen trupat e saj në kuadër të misionit paqeruajtës ndërkombëtar.
Sipas njoftimit, komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka dërguar ekipin me qëllim vlerësimin paraprak në terren dhe koordinimin e aktiviteteve për dislokimin e kontingjentit kosovar, i cili do të veprojë në kuadër të Forcave Stabilizuese Ndërkombëtare (ISF) në Gaza.
Gjatë kësaj vizite, delegacioni ka zhvilluar takime me autoritetet përgjegjëse për administrimin e Gazës, si dhe me përfaqësues të Qendrës Koordinuese Civilo-Ushtarake (CMCC), e cila operon nën mbikëqyrjen e Bordit të Paqes, në përputhje me Rezolutën 2803 të OKB-së.
Në këto takime është diskutuar procesi i integrimit të kontingjentit të FSK-së, mënyra e zhvillimit të operacioneve të përbashkëta dhe koordinimi i mbështetjes logjistike gjatë misionit.
FSK ka theksuar se mbetet e përkushtuar për të kontribuar në paqe dhe stabilitet global, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke forcuar partneritetet strategjike dhe duke vepruar në përputhje me standardet ndërkombëtare të sigurisë dhe paqes.

The post FSK dërgon ekip në Gaza, kryhet rikonicioni për misionin paqeruajtës appeared first on Euronews Albania.
